Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, bëri thirrje për uljen e tensioneve në vend dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Ajo gjithashtu nënvizoi se Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.
“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.
Plani i Rritjes është pako për Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo pako për shkak të moskonstituimit të institucioneve.
Ky plan është instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.
Kosova nga Plani i Rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.