Koncerni automobilistik “Volvo” ka tërhequr 59 mijë vetura nga 40 vende për shkak të një mosfunksionimi të mundshëm të sistemit elektronik, duke çuar në ndërprerjen e motorit, tha të shtunën një zëdhënës i kompanisë, përcjell albinfo.ch.
Sipas zëdhënësit, do të tërhiqen modelet Volvo dizel nga seria e 60-të dhe 70-të, që dolën në treg në vitin 2015. Shumica e makinave janë të shitura në Suedi, Britani të Madhe dhe Gjermani.
Të dhënat e para në lidhje me problemet ishin raportuar në media suedeze. Siç është shpjeguar nga përfaqësues të kompanisë, nuk është raportuar dhe regjistruar ndonjë incident i mosfunksionimit të sistemeve elektronike në makinat ’’Volvo’’.
Kompania suedeze ’’Volvo’’, me seli në qytetin e Goteborgut, u themelua në vitin 1927 dhe është një nga prodhuesit kryesor të makinave, kamionëve, autobusëve. ’’Volvo’’ punëson rreth 100.000 njerëz.