Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ajo në një postim të saj në Facebook ka shkruar se ta quash reciprocitetin ‘pengesë’, do të thotë që barazinë e konsideron pengesë.
Sipas saj, të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë, do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.
“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’, do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e do vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë, do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë, do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.