Por të njëjtin mendim nuk e ndan edhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të cilin thotë se për qëndrimet e përbashkëta që kanë, e dinë edhe ‘zogjtë’.
“Në nivel institucional natyrisht që unë nuk kam asnjë arsyeje që unë mos t’iu përgjigjem institucioneve të vendit. Në nivel të bashkëpunimit politik është botërisht e ditur që unë kam mospajtime të thella me mënyrën se si e bën politikën dhe si e përfaqëson vendin Thaçi. Kurse kam shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin aktual. Besoj që këtë edhe zogjtë e dinë”, tha Osmani.Kryeparlamentarja Osmani pas mbledhjes së kryesisë, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional, pavarësisht opinioneve personale, është shumë i rëndësishëm ndërmjet tri institucioneve më të larta në vend.
“Ne kemi një praktikë javore që të takohemi me kryeministrin e vendit çdo javë, praktikë që e kemi ndërtuar nga dita e parë kur edhe Kurti është zgjedhur kryeministër, por kur edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, sepse është e domosdoshme që punët e qeverisë të bashkërendohen. Natyrisht që unë do të vazhdoj të takohem rregullisht me kryeministrin e vendit, sepse është e domosdoshme për vendin tonë që të ketë një bashkëpunim të tillë. Dhe kemi një bashkëpunim të mirë, dhe besoj që do të vazhdojë të mbetet tash e tutje. Sa i përket presidentit të vendit, nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e tij që të takohemi dhe të bashkërendojmë vendimet. Madje as për çështje të rëndësisë nacionale. Bile, ju e dini që kur presidenti i vendit ka ftuar për konsultime lidhur me tema që janë të rëndësisë nacionale, i ka ftuar krerët e partive, por jo krerët e institucioneve. Pra, gjithnjë më ka anashkaluar mua si kryetare e kuvendit”, ka theksuar Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani thotë se presidenti Thaçi vetëm njëherë ka kërkuar t’i drejtohet Parlamentit, e sipas saj, këtë e ka bërë në mënyrë arbitrare, më pas nuk ‘i ka interesuar të shkojë e të flasë në Kuvend’. Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Osmani tha se bashkëndjen me ata që kanë kundërshtuar shembjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë gjatë ditës së djeshme, shkruan mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch