Vjena është qyteti i fundit në Austri që ka zbatuar masën e detyrueshme për bartjen e maskës në transportin publik. Për gati tre vjet, udhëtarët detyroheshin të mbanin një maskë FFP2 në autobusë, tramvaje dhe metro. Por, kjo kërkesë e detyrueshme më nuk do të vlejë. Nga data 1 mars nuk do të ketë më detyrim për të mbajtur maskë në transportin publik. Sigurisht, kjo është ende e mundur në baza vullnetare.
Në të njëjtën kohë bie edhe kërkesa për maska në farmaci. Megjithatë, një maskë FFP2 do të vazhdojë të mbahet vetëm në spitale dhe në shtëpitë e të moshuarve, shkruajnë mediat austriake, përcjell albinfo.at.
Përveç kësaj, testi PCR nuk është më i detyrueshëm në spitale dhe ambiente të kujdesit. Kufizimet e vizitorëve prej tre vizitorësh në ditë për pacientë siç ishte deri më tash, do të hiqen. Kërkesa për maska në spitale dhe në shtëpitë e të moshuarve do të mbetet në fuqi deri më 30 prill.
Kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig, njoftoi në fillim të shkurtit se masat e rrepta do të përfundonin më 28 shkurt. Ai dhe këshilltari i qytetit për Shëndetin, Peter Hacker, ishin konsultuar më parë me një panel ekspertësh se si të procedohej, pasi qeverisja e Bashkisë kishte njoftuar se të gjitha masat për Covid do të përfundonin në fund të qershorit.
Më e diskutuara ishte kërkesa për maskë. Jo të gjithë vjenezët i pëlqenin këto masa. Të gjithë ata që nuk e kanë zbatuar rregullin e mbajtës së maskës, deri tash janë gjobitur me 50 euro.