Në Lozanë, në ndeshjen e Challenge Ligue Lausanne Sport – FC Schaffhausen, ekipi mysafir i futbollistit shqiptar Visar Berisha pësoi debakël me rezultat 4 :0. Berisha luajti tërë ndeshjen.
Pas ndeshjes zhvilluam një bisedë të shkurtër me ish futbollistin e FC Prishtina. Lidhur me humbjen e thellë të skuadrës së tij, Berisha për albinfo.ch shpreh brengosjen lidhur me pozitën e skuadrës ku luan ai.
“Kështu e ka futbolli. Ne na nevojiteshin pikët për mbijetesë e vendësve për kreun e tabelës”. Kurse nuk fsheh brengën për pozitën e tij në klub dhe të ardhmen e tij si futbollist ai.
“Në fillim të sezonit më kanë përcjellë lëndime të shumta, për ç`arsye edhe mungova në disa ndeshje. Tani jam në formë por klubi im është në pozitë të palakmueshme, në vendin e parafundit. Kështu, do ta kemi shumë vështirë të mbetemi në ligë”, shprehet Visari
Ai po ashtu e sheh problematike të ardhmen e tij në rast se klubi ku luan, bie një ligë më poshtë.
“Me klubin kam kontratë deri në fund të kampionatit të ardhshëm por nëse nuk mbetemi në ligën e dytë, do të jetë i vështirë qëndrimi im këtu. Do të shikoj ndonjë mundësi të angazhimit në ndonjë klub tjetër, psh në Winterthur apo në skuadër tjetër ose kthimin në Kosovë”.