Kompania gjermane e prodhimit të veturave, BMW, në panairin e veturave që po mbahet në Gjenevë, njoftoi se është e brengosur për ndikimin që pritet të ketë BREXIT-i, në rast se dështon marrëveshja ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian.
Shefat e BMW-së kanë thënë se dështimi për arritje të marrëveshjes së BREXIT-it mund ta bëjë prodhimin dhe shitjen e modelit Mini-Cooper edhe më të shtrenjtë, përcjell albinfo.ch.
Për këtë shkak gjermanët mund ta ndalin prodhimin e modelit të famshëm në Britani dhe të kalojnë në një shtet tjetër të Evropës.
Industria e prodhimit të veturave në Britani punëson rreth 850 mijë njerëz dhe pjesa më e madhe e kësaj industrie është në pronësi të kompanive të huaja.
Kjo industri është në presion që të përballojë pengesat që mund të dalin pas 29 marsit, kur është afati i fundit për arritje të marrëveshjes për BREXIT.