Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për marrëveshjen për pikat e kalimit, ka ashpërsuar qëndrimin e Vetëvendosjes lidhur me atë që po bënë Qeveria e Kosovës.
Drejtues të kësaj lëvizjeje kanë bërë të ditur se ky subjekt së shpejti do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Deputeti i kësaj Lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës Visar Ymeri ka paralajmëruar se që nga e hëna do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të paraqitur mocionin e mosbesimit.
Duke iu referuar marrëveshjes së arritur në Bruksel , deputeti tjetër i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka theksuar se diskursi i BE-së për këtë marrëveshje askund nuk i referohet dhe nuk e përmend fjalën kufij andaj sipas tij është e papranueshme se si Qeveria e Kosovës ka bërë një marrëveshje të tillë.
Ymeri, ka thënë se Qeveria e Kosovës është treguar shumë më e butë me Serbinë se sa Gjermania, e cila përmes kancelares Angela Merkel bëri të qartë se Serbia nuk i plotëson kushtet për BE.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës përmes kryenegociatores Edita Tahiri arriti marrëveshje në Bruksel, duke ia mundësuar në këtë mënyrë Serbisë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të premten mbrëma në Bruksel arritën marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve.