Menjëherë pas vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të akuzuarit në rastin “Pronto” të lirohen nga aktakuza, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.
Së fundi, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” dëshmon vulën e një shteti të kapur. Për këtë arsye ka bërë thirrje urgjente për krijimin e Qeverisë së re, siç thotë ajo, për çkapjen e shtetit.
Ajo, përmes një postimi në “Facebook” tha se Gjykata me këtë aktgjykim i ka mbytur shpresat e të rinjve dhe qytetarëve.
Mëngjesin e sotëm, të gjithë të akuzuarit në rastin e quajtur “Pronto” janë liruar nga akuzat në mungesë provash.
Të akuzuar për këtë rast kanë qenë një numër i madh i zyrtarëve të PDK-së.
Më poshtë shkrimi i plotë i deputetes Haxhiu:
Aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës Pronto është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.
Gjykata sot u dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit.
Trupi gjykues u dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?!
Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit, andaj nuk ka kohë për të humbur, sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re. /Albinfo.ch.