Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës ndalimin e një koncerti të paralajmëruar për 5 maj në Komunën e Dragashit, për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarëve nga Serbia, transmeton albinfo.ch.
Sipas reagimit të përbashkët të këtyre organizatave, mbajtja e këtij koncerti pikërisht në Ditën e Dëshmorëve të Kombit përbën “cenim të rëndë të ndjenjave të qytetarëve dhe të dinjitetit shtetëror”.
“Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar… Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare,” thuhet në reagim, ku organizimi i koncertit është cilësuar “provokim i qëllimshëm, fyes e i papranueshëm”.
Veteranët kanë paralajmëruar se, nëse autoritetet nuk marrin masa për ndalimin e ngjarjes, do ta ndërpresin vetë koncertin.
Koncerti është pjesë e një festivali të quajtur “Arog Fest”, i cili, sipas paralajmërimeve zyrtare, synon të festojë kulturën, traditën dhe muzikën e rajoneve të Gorës, Zhupës dhe Podgurës. Për mbrëmjen e 5 majit janë ftuar të performojnë të paktën pesë këngëtarë, mes tyre edhe artistë nga Serbia, transmeton albinfo.ch.