Pagimi i dënimit për mospasje të biletës së trenit për shfrytëzimin e rrjetit hekurudhor të Zvicrës është diçka që duket e nënkuptueshme.
Por rreth 300 mijë pasagjerë vetëm gjatë vitit të kaluar e kanë konsideruar këtë detyrim si të tepërt. Kjo shifër është sa dy të tretat e të gjithë atyre që kanë marrë dënime të tilla, (460 mijë) shkruan “SonntagsZeitung”, duke iu referuar burimeve nga SBB/CFF (Ndërmarrja Federale e Hekurudhave).
Megjithatë, në krahasim me vitin 2012, numri i udhëtarëve “në të zezë” që nuk e kanë paguar dënimin vitin e kaluar ka qenë shumë më i vogël, transmeton albinfo.ch. Në vitin rekord kishin mbetur të papaguara plot 635 mijë gjoba të tilla.
Mospagesa në një masë të tillë e dënimeve për udhëtim me tren përbën një problem të theksuar për SBB-në. Shuma e përgjithshme e të ardhurave të munguara llogaritet në dhjetëra miliona franga.
Ndaj secilit udhëtar treni që merr gjobë dhe në mënyrë të përsëritur nuk e paguan atë, ushtrohet kallëzim penal. Secilin vit ushtrohen mijëra kallëzime të tilla, ka thënë një zëdhënëse e SBB-së.
Ajo ka shtuar se bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë para dhe të cilët nuk mund të paguajnë edhe atëherë kur SBB ushtron ndaj tyre urdhrin për përmbarim.