Vetëm 19 vjeçe, por me një zë të fuqishëm që rrëmben vëmendjen që në notën e parë. Hana Orllati nga Kosova ka shkëlqyer në skenën e spektaklit prestigjioz “The Voice of Finland”, duke emocionuar jurinë dhe publikun me interpretimin e saj mbresëlënës, transmeton albinfo.ch.
Me këngën e njohur “How Am I Supposed to Live Without You”, Hana kaloi me sukses fazën e parë të garës, duke dëshmuar nivel të lartë artistik dhe siguri skenike. Performanca e saj u shoqërua me reagime entuziaste, ndërsa juria vlerësoi fuqinë, ndjeshmërinë dhe kontrollin vokal të saj.
Rruga e Hanës në muzikë ka nisur që në fëmijëri. Që e vogël ajo ka qenë e lidhur ngushtë me artin, ndërsa vetëm 10 vjeçe u paraqit në “The Voice of Albania”, një përvojë që i hapi dyert drejt skenave më të mëdha. Më pas, ajo ka performuar në shumë koncerte për fëmijë në Kosovë, duke fituar përvojë dhe vetëbesim artistik.
Hana Orllati ka përfunduar shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku ka ndërtuar bazën e saj profesionale. Prej rreth një viti, ajo jeton në Finlandë së bashku me prindërit dhe tre vëllezërit, të cilët ishin shpërngulur më herët për arsye studimi.
“Që kur isha e vogël kam ëndërruar të këndoj në skena të mëdha dhe të bëhem një artiste profesionale. Sot ndjej se kjo ëndërr ka nisur të bëhet realitet”, është shprehur Hana.
Historia e saj është një dëshmi e qartë se talenti, puna dhe këmbëngulja nuk njohin kufij, duke e shndërruar zërin e Kosovës në pjesë të skenave ndërkombëtare dhe duke e pozicionuar Hanën si një emër premtues për të ardhmen e muzikës./Albinfo.ch