Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vitin 2008, kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, e cila parashikon përmbushjen e tetë objektivave, ndërsa njëra prej tyre është zhdukja e analfabetizmit deri në vitin 2015. Mirëpo ky obligim, duket se vështirë do të përmbushet me kohë.
Jonuz Salihaj është ekspert i arsimit nga radhët e AAK-së, partisë opozitare që drejtohet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se autoritetet kompetente duhet të jenë më aktive në këtë çështje.
“Për bindjet e mia, ata duhet të merren shumë më seriozisht sepse një nga objektivat kyç është edhe zhdukja e plotë e analfabetizmit klasik deri në vitin 2015. Unë besoi se do të jetë një objektiv i paarritshëm, pasi sipas regjistrimit të fundit mbi 50 mijë persona të rritur janë analfabetë klasik”, deklaroi ai për REL.
Do të jetë shumë vështirë, sipas tij, të arrihet ky objektiv i mileniumit.
“Duhet të punohet shumë më shumë, duhet me arsim formal dhe joformal, duhet të përfshihet edhe shoqëria civile, grupet e ndryshme që kanë shkallën e analfabetizmit më të lartë, siç është grupi rom, ashkali dhe egjiptas”, thekson Salihaj.
Ndryshe, regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 nxjerr 55 mijë qytetarë të Kosovës analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim-lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.
Zyrtarë qeveritarë thonë se nuk kanë ndonjë shifër të saktë se sa është shkalla e analfabetizmit, pasi kjo ndryshon, por pohojnë se kjo dukuri më e shprehur është në zonat rurale dhe te gjinia femërore.
Megjithatë, Arbër Morina, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, thotë se në bazë të përpjekjeve që janë duke u ndërmarrë në këtë fushë, deri në vitin 2015 mund të zvogëlohet në masë të madhe kjo dukuri.
“Ministria e Arsimit e ka identifikuar qysh moti si problem këtë dukuri dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme me të gjitha kapacitetet ekzistuese. Një ndër masat që ka marrë është edhe hartimi i kurikulave dhe botimi i librave për programin shkrim-lexim bazik”, deklaroi ai.
Deri tani, sipas tij, janë botuar katër libra të quajtura “Drita e Jetës”. Gjithashtu, MASHT, siç tha ai, ka hartuar edhe planprogramet për arsimin jo formal prej klasës se parë deri në klasën e nëntë.
Në vitin 1981 Kosova kishte 17.6 për qind të popullatës analfabete. Në vitet e pasluftës rreth 6 për qind vlerësohej të ishin analfabetë. Shkalla me ë theksuar e analfabetizmit mbetet të komunitetet RAE (Romë Ashkali dhe Egjiptas), ku shumica e fëmijëve ose nuk regjistrohen fare në shkollë, ose pas regjistrimit e ndërprejnë shkollimin.