Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, se bashku me deputet tw pozitës e opozitës ka filluar vizitën zyrtare në Francë me pritjen nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, François de Rugy.
Në takim me homologun francez, Veseli kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Parisit zyrtar sidomos tani për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti.
Veseli tha se pas plotësimit të gjitha kritereve të parapara, synimi është që këtë vit të kemi liberalizimin e vizave për qytetarët.
“Dhe kjo do të ndodhë. Jemi duke e bërë bashkërisht këtë përpjekje, pozitë dhe opozitë. Falënderoj deputetët nga të gjitha grupimet politike dhe etnike. Kjo është një pasqyrë e mirë e shtetit tonë, pas gjithë asaj çfarë kemi kaluar në tri vitet e fundit”, theksoi kryeparlamentari.
Në njoftimin për media thuhet se edhe de Rugy, ka konfirmuar mbështetjen franceze për Kosovën.