Në konkursin vjetor të muzikës në Kantonin Aargau, të mbajtur më 28 nëntor, tetëvjeçarja Vesa Selmoni nga Cyrihu u shpall fituese e vendit të parë, duke u dalluar mes dhjetëra pjesëmarrësve të rinj. Juria e vlerësoi interpretimin e saj si të qëndrueshëm, të pastër dhe me maturi të rrallë për moshën. “U ndjeva shumë e gëzuar dhe e surprizuar, sepse kishte shumë konkurrencë,” thotë Vesa, duke kujtuar momentin e shpalljes.
Rrugëtimi drejt pianos, nga një lodër te talenti i formuar
Dashuria e Vesës për muzikën nisi herët, me një piano lodër në shtëpi, përmes së cilës ajo filloi të mësonte meloditë e para vetëm duke i dëgjuar. Talentin e saj e dalloi mësuesi i parë, Roger Haldimann, i cili e orientoi drejt mësimeve të strukturuara dhe e mbështeti në vitet e para të zhvillimit. Sot, Vesa i çon përpara angazhimet e saj me një qetësi të admirueshme, duke gjetur ekuilibër midis shkollës, pianos, patinazhit dhe aktiviteteve të tjera që ndjek.
Vlerësimi i mësuesit: talent, punë dhe përqendrim
Mësuesi aktual i pianos së Vesës, Artem Markaryan vlerëson disiplinën dhe përkushtimin që e kanë karakterizuar gjatë përgatitjeve për konkursin: “Vesa fitoi falë punës së përditshme, talentit dhe aftësisë për t’u përqendruar në momentin vendimtar. Jam i lumtur të ecim së bashku në këtë rrugë,” shprehet ai, duke falënderuar njëkohësisht edhe kolegun e tij, Roger Haldimann, për zbulimin e hershëm të talentit të saj.
Përjetimi i garës dhe frymëzimi i saj artistik
Vesa e kujton përvojën e konkursit me qartësi e maturi. “Momenti para jurisë ishte i bukur. Kur e përfundova pjesën, ndjeva gëzim të brendshëm,” thotë ajo.
Pjesa e saj e preferuar është La Marée de Soir nga Jennifer Linn, ndërsa mes kompozitorëve veçon Mozartan. Ajo ka edhe një ëndërr të qartë për të ardhmen: “Do doja të luaja një ditë me Alexandra Dovgan.”
Muzika brenda familjes
Në shtëpinë Selmoni, muzika është pjesë e pandashme e përditshmërisë. Vesa ushtron piano rregullisht, ndërsa vëllai i saj, Drini, luan bateri, një mjedis që ka ndikuar në zhvillimin e natyrshëm të sensibilitetit të saj muzikor.
Prindërit e shohin këtë sukses si një moment të rëndësishëm: “Ishte një gëzim që nuk harrohet.”
Ata theksojnë se mbështetja, koha dhe vëmendja e përditshme janë elementët që u japin fëmijëve mundësi të shprehin talentin e tyre.
Ky sukses është edhe një shembull frymëzues për prindërit shqiptarë në Zvicër: talentet rriten në një mjedis të qetë, të përkushtuar dhe me besim të ndërsjellë midis fëmijëve dhe atyre që i udhëheqin.
Linku nga interpretimi: Jennifer Linn – La marée de soir (Evening Tide) – Vesa Selmoni


