Një burrë zviceran, sot 50 vjeçar, kishte vrarë në vitin 2009 një grua (54 vjeçe) dhe ndihmësen e saj shtëpiake (36 vjeçe). Veç kësaj, ai ka grabitur gjësende me vlerë, para dhe kartela banke. Mandej, për të mbuluar krimin, ai ka bërë përpjekje për t`i vënë zjarrin banesës së viktimës, shkruan srf.ch.
Për të gjitha këto, Gjykata e Lartë (Kantonale) e Zgut e kishte dënuar me burg të përjetshëm, dënim kapital ky në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Veç dënimit në fjalë, atij i ishte shqiptuar edhe masa e kujdestarisë.
Personi në fjalë ka ushtruar të drejtën e ankesës në shkallën më të lartë të gjyqësisë së Zvicrës, në Gjykatën Federale. Ai, ankesën e tij e kishte bërë duke iu referuar gabimeve procedurale teknike dhe duke akuzuar avokatin e tij të parë se kishte bërë “një gabim eklatant” gjatë mbrojtjes së tij. Por, Gjykata Federale nuk e ka miratuar asnjërën nga vërejtjet e bëra.
Ajo ka vërtetuar edhe njëherë në plotëni vendimin e Gjykatës së Lartë të Kantonit Zug.