Pasditën e sotme, si pasojë e reshjeve të shiut, në Prishtinë janë bllokuar rrugët dhe është shkaktuar ndërprerje e energjisë elektrike.
Sheshet e kryeqytetit të Kosovës janë mbushur me ujë dhe rrethrrotullimet janë vështirë të kalueshme, transmeton albinfo.ch.
KEDS-i ka njoftuar se rajonet më të prekura me ndërprerje të energjisë janë Prishtina, Peja, Prizreni dhe Ferizaj.
“Falë intervenimit të menjëhershëm të KEDS-it, në disa vende ku është stabilizuar moti, disa dalje tashmë janë rikthyer në funksion, ndërkaq ekipe shtesë janë aktivizuar në të gjitha vendet e prekura nga këto reshje shiu për të rikyçur konsumatorët sa më parë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Emergjencave në Prishtinë, i ka vënë në dispozicion numrat emergjentë për qytetarët në nevojë.
“080012233 dhe 080012244”, janë numrat e publikuar nga kjo drejtori ndërsa u është bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, ose të qëndrojnë në zona të sigurta.