Bëhet e ditur se Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me normën të lartë të popullsisë në moshë në punë që nuk aktivizohet në forcën e punës, përcjell albinfo.ch.
Sipas INSTAT, në Shqipëri popullsia që nuk do të punojë dhe që kategorizohet në statistika si ‘grupi inaktiv’, zuri 32.5% të totalit të popullsisë mbi 15 vjeç, duke u renditur e shtata në Europë për normën më të lartë të popullsisë inaktive.
Ky tregues ishte më i lartë në 6 vende të tjera europiane, si Greqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Italia, Mali i Zi dhe Turqia, ku popullsia inaktive arriti në intervalet 32.6-45.1 %.
Niveli më i lartë në Europë i përket Turqisë.
Në Shqipëri popullsia joaktive në tregun e punës pësoi rritje të ndjeshme në vitin 2020. Si rrjedhojë e krizës ekonomike që u krijua nga pandemia, shumë persona u dekurajuan të kërkojnë punë, pasi mendojnë se nuk gjendet një e tillë. Në vitin 2020 shkalla e inaktivitetit shënoi rritje vjetore me 1.2 pikë përqindje. /monitor