Mediat kosovare raportojnë se ka humbur jetën edhe njëri nga nëntë personat e lënduar në aksidentin e djeshëm që ndodhi në rrugën Prishtinë-Podujevë, përcjell albinfo.ch.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurorja e rastit është informuar se edhe personi i tretë ka vdekur diku pas orës 00:00. Të tri viktimat janë të gjinisë mashkullore. Me urdhër të prokurores, viktimat janë dërguar për obduksion”, ka thënë Ulaj.
“Në rrugën nacionale Podujevë–Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale, në të cilin kanë qenë të përfshira tri vetura me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, dy meshkuj kosovarë kanë vdekur në vendin e ngjarjes dhe një tjetër gjatë trajtimit në QKUK, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar edhe 8 persona të tjerë meshkuj, 7 prej tyre kosovarë dhe një shtetas i Austrisë”, thuhet në raportin e Policisë.
Në aksidentin e ndodhur dje, në vendin e ngjarjes kanë humbur jetën dy persona, si pasojë e aksidentit ku ishin përfshirë tri vetura.