Qindra barna janë të padisponueshme ose të vështira për t’u marrë në Zvicër. Për rreth 200 prej këtyre medikamenteve, mungesa përbën një problem serioz.
Pas mungesës së këtyre barnave dimrin e kaluar, situata është kritike edhe për produktet e zakonshme. Lista e produkteve dhe substancave që mungojnë e përpiluar nga faqet e internetit të specializuara është e gjatë. Qoftë në drugshortage.ch, platforma për mungesat e barnave të Spitalit Universitar të Gjenevës (HUG), farmacisë online Zur Rose apo listës së Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar (FONES) – situata trajtohet problematike, transmeton albinfo.ch.
Për shembull, drugshortage.ch liston 786 produkte që mungojnë, duke përfshirë 360 përbërës aktivë si antibiotikë, qetësues, vaksina dhe solucione injeksionesh për diabetikët.
Kryefarmacisti i HUG, Pascal Bonnabry, flet për një zhvillim “shqetësues” që prek të gjithë vendin. Derisa të zgjidhet shkaku i problemit, task forca zvicerane “Mungesa e barnave” vazhdon të rekomandojë që disa ilaçe të shpërndahen në sasi të pjesshme.