Një organizim ku keqtrajtohen qenët deri në përgjakje ka ndodhur sot në fshatin Vojnovc të komunës së Shtimes.
Ky tubim ishte organizuar për orën 11:00, ku qenët do të luftonin deri në përgjakje. Numri i personave që sipas policisë kanë marrë pjesë ka qenë të paktën dhjetë persona, raporton “Insajderi”.
Përleshja e dy qenve është transmetuar drejtpërdrejt edhe në rrjetin social Instagram. “Obamadobrava” është llogaria që ka transmetuar gjithçka drejtpërsëdrejti këtë përleshje, që nga grumbullimi i qenve e deri tek përfundimi i luftës mes tyre, përcjell albinfo.ch.
Në transmetimin e kësaj lufte shihen afër 30 persona prezentë, ndërsa aty gjenden edhe të miturit. Në këtë transmetim, shihet lufta afër 20 minuta e qenve që nxiten nga personat prezentë për luftë.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes, por nuk e ka gjetur askënd.
Më herët, “Insajderi” kishte raportuar edhe gjatë javës së kaluar lidhur me keqtrajtimin e qenve kur një person nga komuna e Istogut, i detyronte qenët e tij të luftonin deri në vdekje. Ky rast aktualisht është duke u hetuar nga prokuroria.