Derisa opinioni në Kosovë dhe në Serbi po pret sinjale nga Brukseli për gjetjen e një zgjidhje politike për veriun e Kosovës, në këtë Mitrovicën e veriut janë shtuar kërcënimet. Në mbrëmjen e kaluar perona të panjohur ia kanë venë zjarrin zyrës së Oliver Ivanoviqit, njërit nga serbët lokal të Mitrovicës.
Sipas burimeve nga veriu i Kosovës, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë dy zyrat e Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, të Oliver Ivanoviqt, duke i djegur tërësisht.
Mësohet se nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa lideri i kësaj partie ka deklaruar se incidenti i ndodhur ka motiv kryekëput politik.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin e pastaj edhe ta shuajnë.
Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe hetimet janë në proces, ndërkohë që autorët dhe motivi i këtij akti deri tani janë të panjohur.
“Zëri” sjell një reagim të kryeshefit të të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, i cili ka thënë se akti është kryer para raundit të tetë të bisedimeve në Bruksel, me qëllimin që veriu i Kosovës të pasqyrohet si vend i kriminalitet.
“Ideja është që t’i përçajë dhe t’i ndajë serbët dhe në këtë mënyrë ta dobësojë pozicionin e ekipit dialogues të Beogradit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, vetë Ivanoviq, tha se për shkak të hetimeve nuk mund të jep shumë detaje. Megjithatë, Ivanoviq u shpreh i bindur se akti ka të bëjë me politikën. “E vetmi motiv mund të jetë politika me të cilën merrem dhe që mendimi im nganjëherë është në kundërshtim me mendimin e njerëzve të tjerë“, tha Ivanvoqi.
Sot në Bruksel, ndërkaq po vazhdon raundi i tetë i negociatave ndërmjet dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Sipas kryeministri Thaçi, sot duhet të nënshkruhet një marrëveshje që i jep fund funksionimit të strukturave paralele serbe në tri komunat e veriut.