Të gjitha varrezat në Austri refuzojnë t’i caktojnë sulmuesit të vrarë Kujtim F. një vend për t’u varrosur. Madje kategorikisht kundër janë edhe varrezat e myslimaneve në Liesing të Vjenës. Ato nuk pranojnë të varrosin trupin e atentatorit. “Allahu do të kërkoj llogari nga ai”, citohet të këtë thënë mbikëqyrësi i varrezave të myslimaneve në Liesing, Ali Ibrahim.
Sipas “kurier.at”, mbikëqyrësi i varrezave të myslimaneve ka dhënë disa arsye për mos pranimin e varrimit. “Ai është një person që ka vrarë njerëz të pafajshëm. Ai na ka dëmtuar të gjithë neve myslimanëve. Askush nuk dëshiron që trupi i vet të shtrihet pranë një vrasësi”, transmeton albinfo.at.
Një tjetër alternativë për varrosjen e sulmuesit të Vjenës ishin varrezat e myslimanëve në Altach në Voralberg, por edhe atje nuk është lejuar.
“Varrezat në Altach janë varreza për myslimanët që kanë vendbanim në Voralberg në kohën e vdekjes së tyre”, tha të enjten kryetari i Bashkisë së Altach, Markus Giesinger. Një përjashtim për këtë rast: “Ne nuk shohim asnjë arsye për ta lejuar të varroset këtu”, ka thënë ai.
Kur dhe ku do të varroset Kujtim F., ende mbetet e paqartë.
Sipas mediave austriake, ekzistojnë edhe dy mundësi. Njëra mund të jetë që varrimi të bëhet në Maqedoninë e Veriut, pasi që vrasësi i cili u rrit në Mödling, kishte rrënjë nga Maqedonia e Veriut dhe posedonte dy nënshtetësi. Mundësi tjetër është që varrimi të bëhet në varrezat qendrore të Vjenës (Zentralfriedhof), në zonën e varrezave të myslimanëve.