Autoritetet në kantonin Valis kanë ndaluar përdorimin e një posteri politik të lidhur me referendumin “No to 10 million”, duke shkaktuar debat të ri në Zvicër.
Posteri, i promovuar nga SVP, paraqet një simbol të ngjashëm me shenjën rrugore “ndalohet hyrja”, për të ilustruar mesazhin për kufizimin e emigracionit, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, policia e Valisit nuk e kundërshton përmbajtjen politike të posterit, por formën vizuale. Sipas tyre, dizajni mund të:
krijojë konfuzion tek shoferët
ngatërrohet me sinjalistikën reale rrugore
paraqesë rrezik për sigurinë në komunikacion
Autoritetet kantonale i kërkuan SVP-së që të ndryshojë posterin për ta bërë më të qartë, duke theksuar se në formën aktuale “mund të mashtrojë përdoruesit e rrugës”.
Por partia refuzoi ta modifikojë, duke çuar në ndalimin e posterit në territorin e kantonit.
Nga ana tjetër, SVP reagoi duke paralajmëruar ankesë ndaj vendimit, ndërsa si kundërpërgjigje njoftoi se do të vendosë një etiketë “imazh i censuruar” mbi poster.
Ky rast ka hapur debat mbi kufirin mes lirisë së shprehjes politike dhe sigurisë publike, në një periudhë të ndjeshme përpara referendumit për kufizimin e popullsisë në Zvicër.