Sipas një studimi të bërë nga universiteti ETH i Cyrihut, vajzat nga familjet myslimane merren shumë më pak me sport se moshataret e tyre zvicerane ose edhe ato të besimeve tjera.
Dallimet janë më të mëdha se sa është menduar, thonë autorët e studimit.
Studimi është bërë me 600 nxënës të shkollave fillore të Winterthurit. Dhe përfundimi ka qenë se dallimet nuk kanë të bëjnë vetëm me përkatësinë fetare dhe gjinore . Edhe djemtë dhe vajzat nga vendet e Evropës Juglindore merren mesatarisht më pak me sport krahasuar me moshatarët dhe moshataret e tyre zvicerane. Rrjedhimisht ata dhe ato janë më pak të lëvizshëm e të shkathtë fizikisht se sa djemtë dhe vajzat zvicerane.
Studimi ka ndjekur aktivitetet sportive të 600 fëmijëve nga klasa e parë deri në klasën e katërt.
Sipas rezultateve të këtij studimi, angazhimi sportiv te vajzat myslimane ka shënuar rënie ndërkohë që te djemtë është parë një rritje relative.
Udhëheqësit e studimit kanë konstatuar se rëndësi për angazhimin e fëmijëve në sporte ka statusi social i familjeve. Kështu, më aktivë në sport janë fëmijët e familjeve të shkolluara ose të pasura, në krahasim me ata të familjeve me status më të ulët social.