Ura treshekullore në Orgockë të Kolonjës është shembur tërësisht si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit në Shqipëri.
Kjo urë, që daton prej fundit të shekullit të 17-të, ishte shembur pjesërisht para viteve ’90, por dy ditë më parë edhe pjesa e mbetur është marrë nga lumi, raporton “Top-Channel”. Sipas raportimit, ndërtimi i përket periudhës osmane dhe përveçse ishte monument kulturor shërbente edhe për lidhjen e disa fshatrave.
“Është shembur totalisht. Për fat të keq është e parikuperueshme vlera e harkut të shembur sepse është një gjatësi prej 17 metrash dhe një mënyrë zgjidhje shumë interesante, nga më të mirat e kohës. Për fat të keq, rindërtimi, por edhe restaurimi i saj do të kushtonte një vlerë shumë të madhe edhe në gjendjen që ajo ishte”, u shpreh Gjergji Koki, drejtor i monumenteve të kulturës.
Kjo urë ishte e vetmja mundësi kalimi për banorët.