Universiteti i Prishtinës (UP) ka shpallur sot konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2012-2013.
Sipas një njoftimi që ka bërë universiteti më i madh i vendit, këtë vit do të regjistrohen 9221 studentë, prej të cilëve 8011 të rregullt dhe 1210 me korrespondencë.
Sipas këtij njoftimi UP-ja do të regjistrojë edhe 323 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva e Bujanoci, si dhe 294 studentë nga minoritetet.
Të drejtë pranimi në UP kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Kosovë dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.
Në universitet mund të pranohen edhe studentët nga shtetet e tjera, në bazë të kuotave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit.
Kandidatët jokosovarë dhe minoritarë kanë të drejtë të konkurrojnë dhe të pranohen vetëm në kuotat e parapara për ta.
Kandidatë jokosovarë konsiderohen ata kandidatë që e kanë mbaruar shkollimin e mesëm jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet t’i kenë të nostrifikuara dokumentet e shkollimit.
Secili kandidat mund të konkurrojë vetëm në një fakultet, departament apo drejtim.
Kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Këshillit të Fakultetit, të njëjtën ditë kur janë njoftuar për rezultatet e provimit pranues.