Universiteti i Prishtinës ka shënuar sot 56-vjetorin e themelimit. Për këtë rast është mbajtur një ceremoni solemne në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit, në Prishtinë.
Gjatë shënimit të 56 vjetorit, janë nderuar më të merituarit për sukseset e UP-së, bashkë më miqtë dhe partnerët e universitetit.
Në ceremoninë e 56-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, rektori Arben Hajrullahu theksoi se universiteti, përkundër trashëgimisë dhe historisë së gjatë, është i fokusuar drejt së ardhmes.
“Me gjithë trashëgiminë, historinë, prani të fuqishme e rezultate konkrete, UP është i orientuar tërësisht drejt së ardhmes,” tha Hajrullahu.
Ai shtoi se aktivitetet e përbashkëta, si ato të brendshme ashtu edhe ndërkombëtare, sjellin rezultate, suksese dhe shpresë për të ardhmen, duke rritur ndikimin e universitetit në arsim dhe kërkim shkencor.
Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i madh publik i arsimit të lartë në vend, ndër vite ka nxjerrë mijëra profesionistë në fusha të ndryshme dhe ka qenë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit akademik dhe shoqëror në Kosovë.