Nëna e një 2-vjeçari shqiptar ka folur për tragjedinë që i mori jetën djalit të saj pas sulmit nga një qen në Greqi, duke treguar se ngjarja ndodhi brenda pak sekondash, teksa fëmija ndodhej në oborrin e shtëpisë, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ishullin grek Zakynthos, ku familja jetonte prej disa vitesh. Sipas rrëfimit të nënës, fëmija ishte kthyer nga pazari me prindërit dhe më pas kishte dalë në kopsht, ku ndodhej edhe qeni, i cili mbahej i lidhur.
Ajo tha se gjithçka ndodhi në një interval shumë të shkurtër kohor, duke përmendur edhe zhurmat e të shtënave nga një zonë e afërt gjuetie si faktor që mund ta ketë trembur qenin.
Prindërit hynë për pak çaste në shtëpi për të sistemuar gjërat nga pazari, kur ndodhi tragjedia. Rasti po trajtohet nga autoritetet greke, të cilat po hetojnë rrethanat e plota të incidentit.