Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, muaji qershor 2025 ka qenë mjaft pozitiv për turizmin shqiptar, duke regjistruar një rritje të fortë si në numrin e vizitorëve, ashtu edhe në netëqëndrimet në strukturat akomoduese.
Hotelet dhe resortet në vend raportuan rritje të dukshme të fluksit të pushuesve. Vizitorët nga Kosova përbënin grupin më të madh me 19%, të ndjekur nga Italia me 13%.
Në total, numri i turistëve ishte 37,2% më i lartë krahasuar me qershorin 2024. Vizitorët e huaj u rritën me 37,4%, ndërsa ata vendas me 36,7%. Edhe netëqëndrimet patën një rritje të ngjashme prej 38,2%, me një shpërndarje pothuajse të barabartë mes rezidentëve dhe jorezidentëve.
Sipas INSTAT, zonat bregdetare kanë qenë destinacionet më të preferuara, duke tërhequr 42,4% më shumë turistë të huaj. Po ashtu, kapacitetet hoteliere dhe akomodimet e tjera u rritën me 35% krahasuar me vitin e kaluar.
Në listën e vendeve kryesore të origjinës, pas Kosovës dhe Italisë renditen Polonia (10%), Gjermania (8%) dhe Franca (6%), ndërsa 44% e vizitorëve vijnë nga shtete të tjera të botës.
Një tjetër tregues pozitiv është norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila arriti në 39,5%, nga 35,9% që ishte në qershor 2024.
Këto shifra pasqyrojnë trendin në rritje të turizmit në Shqipëri, duke e konsoliduar vendin si një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për pushuesit ndërkombëtarë dhe ata vendas.