Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një varg kritikash dhe kërcënimesh të martën para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke sulmuar vendet që mbështesin emigracionin dhe tranzicionin energjetik, ndërsa konfirmoi mbështetjen e tij të pakushtëzuar për Izraelin.
Në vitin 2018, fjalimi krenar i Trump-it shkaktoi të qeshura mes delegatëve të huaj të mbledhur në OKB. Këtë herë, 79-vjeçari miliarder foli mes një heshtjeje pothuajse të plotë, duke e lavdëruar veten për një “epokë të artë” në Amerikë, duke numëruar sukseset ekonomike dhe duke pretenduar se ka përfunduar “shtatë luftëra” – një listë e çrregullt konfliktesh, disa prej të cilave kishin mbaruar prej kohësh, transmeton albinfo.ch.
Që nga rikthimi i tij në pushtet, shumica e liderëve perëndimorë nuk po e marrin më me humor. Trump ka nisur një ofensivë proteksioniste, ka vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale amerikane dhe ka shkurtuar ndihmat ndërkombëtare.
Kritika ndaj OKB-së
Trump akuzoi Kombet e Bashkuara se nuk e kanë ndihmuar në nismat e tij për paqe, duke bërë edhe batuta tallëse:
“Dy gjërat që mora nga Kombet e Bashkuara ishin një shkallë lëvizëse e prishur dhe një teleprompter i prishur,” – tha ai, duke iu referuar problemeve teknike gjatë fjalimit.
Ai gjithashtu akuzoi OKB-në për “financimin e një sulmi kundër vendeve perëndimore dhe kufijve të tyre”, duke iu referuar ndihmës financiare për emigrantët. Presidenti amerikan, i cili ka nisur një operacion të gjerë për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, u tha vendeve evropiane që nuk veprojnë njësoj se do të shkojnë “në ferr”.
Sulmi ndaj Evropës dhe klimës
Trump akuzoi Evropën për politikat e tranzicionit energjetik, duke e quajtur ndryshimin klimatik “mashtrimin më të madh në histori”.
Kjo ide globaliste që u kërkon vendeve të industrializuara të dëmtojnë vetveten dhe të prishin shoqëritë e tyre duhet të refuzohet,” – shtoi ai.
Në fjalimin e tij, Trump tha gjithashtu se njohja e një shteti palestinez do të ishte një “shpërblim” për “mizoritë” e Hamasit.
Takime dypalëshe
Në Nju Jork, Trump do të zhvillojë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atë argjentinas Javier Milei, si dhe një takim me liderë nga disa vende myslimane – Katar, Arabinë Saudite, Indonezi, Turqi, Pakistan, Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordani.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë të martën për luftën në Rripin e Gazës, por Izraeli nuk do të marrë pjesë, duke protestuar se mbledhja po mbahet gjatë Vitit të Ri hebre.
Trump njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të takohet me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, të cilin e akuzon për persekutimin e paraardhësit të tij Jair Bolsonaro.
“Zvicra e bukur” dhe emigracioni
Duke folur për emigracionin, Trump përmendi edhe Zvicrën, duke thënë se as ajo nuk është imune ndaj emigracionit të paligjshëm.
“Shumë vende po shkatërrohen nga emigracioni i paligjshëm, përfshirë Zvicrën e bukur, ku 72% e të burgosurve janë të huaj,” – deklaroi ai.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, në janar 2025, 72.5% e të burgosurve në Zvicër nuk kishin pasaportë zvicerane.
Trump shtoi se edhe “revolucioni i gjelbër” po e çon Evropën drejt shkatërrimit, duke përsëritur se ndryshimi klimatik është “mashtrimi më i madh kundër njerëzimit”.