Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se do të marrë pjesë në një takim shumëpalësh në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku pritet të diskutohet edhe çështja e Groenlandës, transmeton albinfo.ch.
Trump bëri të ditur se ishte dakorduar për këtë takim gjatë një telefonate që e cilësoi si “shumë të mirë” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Lajmin ai e ka ndarë të hënën përmes platformës së tij online, Truth Social.
Po ashtu, Trump deklaroi se nuk pret rezistencë të madhe nga vendet evropiane lidhur me marrjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. “Nuk besoj se ata do të rezistojnë shumë”, u shpreh ai para gazetarëve në Florida, duke shtuar për territorin arktik: “Ne kemi nevojë për të. Ata duhet ta bëjnë.”
Groenlanda është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Javët e fundit, Trump ka intensifikuar pretendimet ndaj Groenlandës, duke i arsyetuar ato me interesa të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Arktik.
Ai ka folur kryesisht për blerjen e territorit, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake. Të shtunën, Trump e përshkallëzoi më tej retorikën, duke kërcënuar me tarifa ndëshkuese ndaj Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të NATO-s, nëse nuk pajtohen që SHBA-të të marrin Groenlandën./Albinfo.ch