Në Romont të kantonit Friburg në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident i veçantë. Treni që po udhëtonte në linjën Bernë-Lozanë rreth orës 5.30 “ka rënë” në një kope lopësh që po qëndronin në hekurudhë!
Lëndime në njerëz nuk ka pasur ndërsa së paku dy lopë kanë gjetur vdekjen në vendine ngjarjes dhe një tjetër u desh të mbytej nga veterinari, për shkak të plagëve të rënda.
Lokomotiva e trenit ka pësuar dëmtime të lehta nga goditja.
Linja Bernë-Lozanë ka mbetur e bllokuar për më shumë se 2 orë. Vetëm rreth orës 8 është normalizuar trafiku në këtë hekurudhë.
Sipas policisë kantonale, lopët, duke ikur nga moti i ligë në panikë e sipër janë ndalur në vijën hekurudhore.