Pas më shumë se 60 vitesh mungesë, tramvaji po rikthehet në Lozanë, ndërsa testimet e para do të nisin këtë të martë në zonën e Renens.
Njësitë e para të tramvajit, të cilat mbërritën në fillim të shkurtit, janë përgatitur për provat dinamike. Linja e re do të lidhë zonën Flon me stacionin e Renens për rreth 15 minuta dhe pritet të hyjë në funksion në dhjetor 2026.
Projekti synon të rrisë kapacitetin e transportit publik, me tramvajë që mund të transportojnë deri në 300 pasagjerë. Linja 4,6 kilometra e gjatë do të ketë 10 stacione dhe një korsi të dedikuar, duke shmangur trafikun.
Autoritetet theksojnë se tramvaji do të ketë përparësi absolute në qarkullim dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të përshtaten me rregullat e reja.
Në fazën e parë priten rreth 13 milionë pasagjerë në vit, ndërsa në të ardhmen linja planifikohet të zgjatet më tej përtej Renens.