Gazeta zvicerane “Aargauer Zeitung” ka zhvilluar një intervistë me Faton Topallin, njërin ndër (tashmë ish) deputetët e Vetëvendosjes që si rezultat i përçarjes së muajve të fundit, kanë braktisur lëvizjen. Në mesin e pyetjeve të shumta që i janë bërë ka qenë sigurisht ajo për arsyen që e ka shtyrë të dilte nga lëvizja, pjesë e së cilës ishte tash sa vite.
“Populizmi rritet atje ku politika nuk ofron zgjidhje. Partia “Vetëvendosje” vërtet ka lancuar tema por në realitet nuk ka prezantuar zgjidhje”, transmeton albinfo.ch deklarimin e Topallit.
“Shumë njerëz të pakënaqur me situatën në Kosovë, kishin ardhur te ne: nacionalistë, ultradjathtistë por edhe ultra majtistë. Unë nuk doja t`i përfaqësoja të gjithë. Unë jam socialdemokrat, në Zvicër i takoj SP-së (Partisë Socialdemokrate). Me ultradjathtistët, ultramajtistët dhe me qarqet që duan ta sjellin islamin në politikë, unë nuk kam asgjë të përbashkët. Dhe unë jam – ndryshe nga ajo siç e kërkon pozicioni zyrtar i partisë – për bisedime pa kushte me Serbinë. Kur unë angazhohesha për reforma në kuadrin e partisë, më kritikonin, fyenin dhe shanin”.
Pyetjes nëse, megjithatë, me këtë përçarje VV po e humb ndikimin që e kishte, Topalli i përgjigjet me po. “Mirëpo ne nuk e synojmë pushtetin por ndryshimet. Dhe ju mund ta merrni me mend se çfarë do të thotë nëse hip në pushtet një parti që nuk është e gatshme për ndryshime. Unë personalisht e shoh demokracinë jo vetëm si vlerë por edhe si normë detyruese.
Ndërkaq, i pyetur nëse tash e tutje në Parlamentin e Kosovës do të ketë më shumë gaz lotsjellës, ai përgjigjet: “çështja rreth metodave politike ka qenë një ndër shkaqet e ndarjes. Gazi lotsjellës nuk është më inovativ”, përcjell albinfo.ch.
Rreth mundësisë që grupi i ndarë të dalë me një parti të re, Faton Topalli thotë sekjo gjë është e mundshme dhe në një rast të tillë, ai preferon që kjo të jetë një Parti Socialdemokrate.