Këshilli Shtetëror i qeverisë së Ticinosë synon të krijojë një forum për mbrojtjen e italishtes në pjesën e Zvicrës italiane. Në një letër të publikuar të mërkurën qeveria kantonale inkurajon institucionet e ndryshme, organizatat dhe autoritetet që t’i bashkohen këtij projekti.
Në të kaluarën ka pasur disa herë zhvillime shqetësuese që shkonin në kundërshtim me qëllimet e Konfederatës, të cilat kanë për detyrë fuqizimin e rolit të italishtes në Zvicër, thuhet nga Këshilli i Shtetit.
Ky i fundit rikujton se Kantoni i Obwald-it, për shembull, ka vendosur të tërheqë mësimin e italishtes nga shkollat e mesme.
Takimi i parë, në tetor
Thirrja për t’u bashkuar me projektin për të mbështetur gjuhën e shkrimtarit të famshëm Dante i drejtohet në veçanti Universitetit të Zvicrës italiane, qeverisë së Graubünden-it/Grison-it, shoqatave të ndryshme gjuhësore, Ambasadës italiane në Bernë dhe Federatave zvicerane të mësuesve të gjuhës italiane.
Kjo lëvizje ka për qëllim të mbajë forumin e parë plenar në tetor. Ndërsa, një takim përgatitor është planifikuar pas pushimeve të verës.