Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar pozitiv dënimin e Ratko Mlladiqit nga Tribunali penal i Hagës me burgim të përjetshëm. Sipas presidentit kosovar dhe ish udhëheqësit politik të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dënimi për gjenocid është i rëndësishëm për të siguruar drejtësi për viktimat e lutës.
“Ne mendojmë sot për Srebrenicë. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që autorët e këtyre akteve dhe nxitësit e ideologjisë gjenocidale vazhdojnë të paguajnë për të keqen që e lëshuan nga Beogradi,” ka shkruar ai në Twitter.
75 vjeçari, Ratko Mlladiq u dënua sot nga Gjykata e Hagës me burgim të përjetshëm. Gjykata ka vërtetuar se ai ka pasur rol të rëndësishëm në “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale” në Bosnje, ndërsa nga komandimi i tij janë vrarë më shumë se 8 mijë myslimanë në Srebrnicëm në atë që sot quhet Turpi i Evropës.
Ndaj Mladiqit rëndonin 11 aktakuza të cilat përfshinin krimet kundër njerëzimit, vrasjet, përdhunimet, persekutimet dhe torturat.