Me ftesë të Kancelares Angela Merkel, Presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar në një vizitë zyrtare në Berlin. Presidenti do të kërkojë nga Merkel mbështetjen gjermane në fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin për media thuhet se në këtë takim do të bisedohet edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe bashkëpunimin në fusha të tjera.
Thaçi do të kërkojë mbështetjen e Kancelares Merkel për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe dinamizimin e perspektivës evropiane.
Ndërsa në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”, Thaçi ka thënë se “pa njohje të Kosovës nga Serbia, s’ka avancim në marrëdhëniet bilaterale”.