Më shumë se 620 persona humbën jetën dhe rreth 1.500 u plagosën nga një tërmet i fuqishëm që goditi provincën Kunar në Afganistanin lindor më 1 shtator 2025.
Lëkundja me magnitudë 6 shkatërroi dhjetëra fshatra malore, duke shembur shtëpitë prej balte dhe guri. Sipas autoriteteve, të paktën tre fshatra janë rrafshuar plotësisht. Pas tërmetit kryesor, rajonin e goditën edhe disa paslëkundje të forta, përcjell lajmin albinfo.ch
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave, ndërsa qeveria talibane u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare për ndihmë urgjente me ushqime dhe pajisje mjekësore.
Fatkeqësia ndodhi vetëm pak ditë pasi rajoni ishte prekur edhe nga përmbytje vdekjeprurëse.
Afganistani është shpesh i goditur nga tërmetet për shkak të pozitës gjeografike, ndërsa standardet e dobëta të ndërtimit dhe terreni malor e bëjnë bilancin e viktimave edhe më të rëndë.