Një terapeut social, 54 vjeçar, nga Berna ka pranuar se ka abuzuar seksualisht 114 fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara. Këto veprime ai i ka bërë gjatë 29 viteve të punës së tij si terapeut social në ente të ndryshme të njerëzve nën përkujdesje të veçantë, në Zvicër dhe në Gjermani.
Lajmin për këtë e ka bërë të njohur prokuroria Bern-Mittelland, e cila ka njoftuar po ashtu se ky është njëri ndër rastet më të rënda të abuzimit seksual që ka ndodhur ndonjëherë në Zvicër.
I pandehuri është arrestuar në muajin prill të vitit të kaluar në kantonin Aargau dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar hetimet, shkruan nzz.ch. Shumica e veprave të kryera nga ai, siç bën të ditur prokuroria, janë lëndë të vjetruara. Por bazuar në ligjin ekzistues, janë 33 raste që ende mund të ndiqen penalisht.