Një projekt në Bruksel të Belgjikës u ka gjetur tenda të lëvizshme njerëzve të pastrehë.
Tendat nga kartoni, të njohura si “ORIG-AMI”, mund të transportohen nga përdoruesit në çantat e tyre, deri sa të gjejnë vendin e duhur për fjetje.
Në Bruksel, tendat normale janë të ndaluara, që nënkupton se të pastrehët lëvizin shpesh në qytet, pasi detyrohen nga policia.
Njerëzit prapa projektit shpresojnë që me tendat e tyre të ndihmojnë dhe t’u japin siguri të pastrehëve.
Tendat do të tolerohen nga policia, thonë ata. Sipas “BX1”, këto tenda u dhuruan nga një fabrikë kartoni dhe puna kryesore u bë në një burg në Lantin.
“2600 njerëz jetojnë në rrugët e Brukselit, në një nga shtetet më të qeta e më të rehatshme dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Xavier Van der Stappen, i përfshirë në projekt.
Tendat u prezantuan këtë javë në stacionin Gare du Nord. Njëzet nga to u dhuruan për të pastrehët.
Varësisht prej kërkesave, një shpërndarje e re mund të krijohet për vitin e ardhshëm.