Temperaturat e larta kanë përfshirë sërish pjesën më të madhe të Evropës.
Siçs raportojnë mediat ndërkombëtare, në Francë për shkak të temperaturave ekstreme është vendosur “alarmi portokalli”.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 45 gradë celsius gjatë kësaj jave në Paris, përcjell albinfo.ch.
Aktualisht autoritetet janë duke zbatuar planin e emergjencës, ku një ndër masat është hapja për kalimtarët e hapësirave me ajër të kondicionuar në brendësi të ndërtesave publike.
Pak më pak se një muaj nga paralajmërimi i të nxehtit, i gjithë vendi ndodhet në alarm, ku përmes radiove dhe TV ftohen qytetarët të qëndrojnë në hije.
Në Francë është ende i gjallë kujtimi i verës së vitit 2003, ku sipas vlerësimeve humbën jetën 10 mijë vetë.
E njëjta situatë është edhe në vende të tjera, si Britani e Madhe, Spanjë e Portugali, ku njerëzve u është kërkuar të mos dalin në orët e pikut.
Edhe në SHBA dhe Kanada situata është e njëjtë, ku të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën. Në të gjithë vendin, aktivitetet sportive dhe festivalet janë anuluar.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë të ditur se temperaturat edhe pse shënojnë 40 gradë, japin ndjesinë e 43 gradëve për shkak të lagështirës.