Me një prani të konsiderueshme të komunitetit shqiptar dhe të qytetarëve të tjerë të Zvicrës, sot në orën 14 ka filluar në Gjenevë manifestimi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë. Ky aktivitet i organizuar nga Shoqata Kulturore “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë dhe i ndihmuar edhe nga disa shoqëri kulturore e artistike të shqiptarëve të këtushëm, ka filluar me Marshin për Drejtësi.
Marshuesit janë nisur nga Parc du Croppette drejt qendrës para Pallatit të OKB-së, tek “Karrigeja e thyer”, simbol i të vuajturve dhe viktimave nga lufta.
Marshimi prej më shumë se një kilometri, u sigurua nga forcat e sigurisë të Gjenevës dhe u zhvillua në heshtje dhe dinjitet.


Fjalën e hapjes së manifestimit me moton “Derisa i kujtojmë, ata jetojnë” e ka mbajtur iniciatorja dhe bashkorganizatorja, Mirishahe Limani Hiler, kryetare e shoqatës “Dora D`istria”. Ajo ka përshëndetur të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen në një homazh si ky, në të cilin kujtohen të zhdukurit me dhunë, pavarësisht nga kombësia, shteti a religjioni.
Në mesin e pjesëmarrësve të marshit kishte edhe përfaqësues të shoqatave të të zhdukurve nga Bosnja, Argjentina, Palestina etj., me flamujt perkatës.
Të pranishmëve, me një fjalë emocionale, në shqip dhe anglisht, u është drejtuar Andin Hoti, kryetar i Komisionit të Kosovës për çështjet e të zhdukurve. Ai ka shpërfaqur dhimbjen e familjarëve me të zhdukur, duke marrë një shembull nga vitet e para të pas luftës, kur Gentriti, atëbotë 4 vjeçar kërkonte babanë e tij të zhdukur dhe nuk e gjente. Gentriti tani, mbi 20 vite më vonë, ndodhej në mesin e të pranishmëve në këtë marsh për drejtësi …
Atdhe Hetemi duke folur në emrin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë ka kthyer vëmendjen në nevojën për evidentimin dhe ndriçimin e krimeve si kusht për një jetë në normalitet.
Një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe kryebashkiaku i Gjenevës, Alfonso Gomez, i cili ka kujtuar se qyteti të cilin ai e drejton, bashkëndjen me viktimat e dhunës dhe familjarët e të zhdukurve me dhunë, të cilët jetojnë në këtë qytet me prani të fuqishme ndërkombëtare.
Ndërsa kryetarja e Parlamentit të Kantonit të Gjenevës, Anna Roch ka përshëndetur pjesëmarrësit e marshit, në emër të qytetarëve të Kantonit.
Në emrin e shoqatave të ukrainasave në Zvicër ka folur Parfeniuk Iryna e cila njëkohësisht ka përcjellë përshëndetjen e artistit dhe luftëtarit ukrainas Rusllan Pikhota. Ky i fundit ishte planifikuar të merrte pjesë në këtë marsh dhe të mbante një fjalë por, siç shpjeguan organizatorët, në momentin e fundit ishte mobilizuar dërguar në front, si ushtar aktiv i Ukrainës që është. Krijimet e tij artistike janë pjesë e ekspozitës që hapet ditën e dytë të manifestimit, nesër, më 31 gusht.
Në vazhdim, Ansambli “Vatra” nga Bülach-u (ZH) është paraqotur me dy koreografi që pasqyrojnë luftën, vuajtjet dhe heroizmin e treguar të shqiptarëve gjatë luftës.
Platforma albinfo.ch është sponsor medial i këtij manifestimi dhe do të mbulojë në vazhdimësi rrjedhën e aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen këto dy ditë, në Gjenevë.



