Brenda pesë viteve të fundit, në Kosovë janë riatdhesuar rreth 25 mijë persona, shumica nga të kthyerit kanë mbetur raste social. Riatdhesimi dhe ri-integrimi i tyre në shoqëri mbetët njëri nga sfidat substanciale të institucioneve të Kosovës, të cilat edhe ashtu janë zotuar për mbështetje të kësaj kategorie.
Mesatarisht, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme, çdo vit në Kosovë kthehen nga 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë vullnetare ose të dhunshme. Kthimi i këtyre personave, ka thelluar edhe më shumë varfërinë në Kosovë, e cila edhe ashtu gjendet në kuotën 30 për qind.
Gjatë vitit 2013, numri i personave të riatdhesuar ka qenë mbi 5 mijë persona, ndërsa shumica janë kthyer nga Gjermania, Suedia, Zvicra dhe Franca.
Një hulumtim i bërë nga Rrjeti i Kosovës Kundër Varfërisë, thuhet se pavarësisht se autoritetet e vendit janë zotuar se qytetarëve të riatdhesuar do t’iu ofrohen kushtet e nevojshme, shumë familje po ballafaqohen me probleme ekonomike dhe sociale, citon REL.
Vehbi Mujku nga kjo organizatë, theksoi se familjet e riatdhesuara në Kosovë kanë përkrahje nga autoritetet e Kosovës vetëm për 12 muaj dhe pas kësaj periudhe gjendja ekonomike dhe sociale e tyre është e pa sigurt.
“Numri i familjeve dhe individëve të kthyer, riatdhesuar, ka ndikuar drejtpërdrejtë në thellimin e varfërisë në Kosovë. Ka disa shkaqe që ky kthim e ka rritur shkallën e varfërisë në Kosovë. Një nga këto është mungesa e strehimit për shumë nga këto familje”, thekson Mujku.
Ndërsa Kushtrim Nreci nga Departamenti për Ri-integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka theksuar se edhe niveli lokal duhet të jenë të përgatitur pasi që numri i të kthyerve do të rritet.
“Gjatë viteve në vijim do të kemi edhe një numër më të madh të të kthyerve dhe do të kemi një numër të madh i cili duhet të na gjejë të përgatitur që t’i përballojnë sfidatdhe proceset që na takojnë”, thekson ai.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ekstreme e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.
Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thekson se personave të riatdhesuar duhet t’iu krijohen kushte adekuate për ri-integrim.
“Personat të cilët riatdhesohen kanë një mentalitet tjetër nga ajo që është në Kosovë. Ata atje kanë pasur një jetë më të mirë sesa ajo çka i pret këtu. Shumë prej tyre kanë punuar dhe janë aftësuar atje në ndonjë profesion që ndoshta në Kosovë ka mungesë, dhe shteti i Kosovës në këtë aspekt duhet të krijojë kushte për ta”, vlerëson Arifi.