Por me hyrjen e valës së fundit të emigrantëve në vend, është rritur edhe norma e ndërtimit të bizneseve të reja. Në vitin 2015, 44% e bizneseve të reja të regjistruara në Gjermani u hapën nga njerëz me pasaporta të huaja, krahasuar me 13% në vitin 2003. Në total, rreth një e pesta e personave të angazhuar në veprimtari biznesi janë shtetas të huaj.
Dhe, ka të ngjarë që kjo normë të rritet me ardhjen e mbi një milion refugjatëve në dy vjetët e fundit. Numri i të vetëpunësuarve nga Lindja e Mesme u rrit me pothuajse dy të tretat mes viteve 2005 dhe 2014, sipas Rene Leicht dhe Stefan Brewing, kërkues në Universitetin e Mannheim-it. Gjithashtu, ka pasur një rritje të theksuar të aktiviteteve të themeluara nga njerëz nga Siria, Iraku dhe Afganistani, shprehet Maik Leonhardt i IHK Berlin, një shoqatë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Siç shkruan “Monitor”, disa refugjatë vijnë në Gjermani me synime të qarta për të drejtuar firmat që ata do të ndërtojnë. Familja e Iyad Slik kishte një pastiçeri në Siri dhe kur ata u shpërngulën në Berlin, para 3 vjetëve, e rindërtuan atë edhe në Berlin.
Shpirti i sipërmarrjes në mesin e emigrantëve vjen kryesisht si pasojë e vështirësive që ata gjejnë për të pasur akses në tregun e rregullt të punës. Shumë startup-e gjatë dekadës së kaluar u krijuan nga evropianët, shtetet e së cilëve ishin pranuar në BE, por që ende nuk gëzonin të drejta të plota të punësimit me ato të shteteve të tjera anëtare të BE-së.
Vetëpunësimi ofron perspektiva shumë të mira për emigrantët ambiciozë. Të ardhurat e tyre rriten, ata përpiqen që t’i bëjnë gjërat sa më mirë dhe diskriminimi nuk është më një problem shqetësues. Aplikantët me emra të huaj të veçantë e kanë shumë më të vështirë për të fituar vendet e punës në firmat gjermane. Në një studim të kryer për sipërmarrësit emigrantë, nga KfW, një bankë zhvillimi gjermane, një e treta e tyre u shprehën se kjo ishte e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë.
Megjithatë, për të bërë biznes nuk është aspak e lehtë në Gjermani: BB-ja e rendit Gjermaninë të 114-ën në botë për lehtësitë që krijon në fillimin e një biznesi. Programet e integrimit në qendrat e punësimit i drejtojnë emigrantët në klasat për mësimin e gjuhës dhe punësimin e rregullt, sesa i inkurajojnë ata për të ndërtuar bizneset e veta. Dhe, mbi të gjitha, depërtimi në procedurat burokratike mund të jetë shumë i vështirë.
Numri i vendësve të vetëpunësuar ra me 3% nga viti 2005 deri në vitin 2015.