Taksa e vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura Instituti GAP në prezantimin e analizës “Taksa 100%, a po e ndihmon ekonominë e Kosovës?”, përcjell albinfo.ch. Ky institut po ashtu thekson se Kosova duhet të kërkojë rinegocimin e marrëveshjes së CEFTA-s.
Berat Thaçi, nga GAP-i deklaroi se kjo taksë kur është hartuar nuk ka qenë e menduar mirë, pasi që nuk ka pasur një analizë paraprake se cilat mund të jenë efektet e saj.
“Cilat janë efektet ekonomike prej taksës 100 për-qind? Në bazë të shifrave, ne kemi parë se taksa nuk e ka ndihmuar prodhimin vendor. Ndërsa çmimet e produkteve në vend janë rritur. Kosova nuk mund të largohet nga marrëveshja e CEFTA-s për shkak se është betuar se do ta respektojë atë. Mirëpo, Kosova duhet ta kërkojë ri-negocimin e kësaj marrëveshje së bashku me vendet e tjera. Sa i përket përfitimit vendor, niveli eksportit nuk është rritur, por janë rritur çmimet e produkteve. Pra, kjo po i bie që banorët e Kosovës po e paguajnë taksën”.
Ndërkaq, Blend Hyseni, theksoi se nga vendimi i qeverisë për taksën kanë përfituar disa shtete të rajonit.