Për të tretën herë me radhë sot në Prishtinë mblidhen dy qeveritë shqiptare, Qeveria e Kosovës dhe ajo Shqipërisë ku pritet të nënshkruhen një varg marrëveshjesh bilaterale. Ky takim i përbashkët do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Mbledhja e përbashkët është parashikuar të fillojë rreth orës 11:30, ndërsa Qeveria e Kosovës, sipas një njoftimi, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura.
Ky do të jetë takimi i tretë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë.
“Në këtë mbledhje, përveç tjerash, është paraparë të nënshkruhen edhe një varg marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, administratës publike, mjedisit, energjetikës dhe bashkëpunimit ndërkufitar”, ka deklaruar vet kryeministri kosovar, Isa Mustafa në rrjetin social Facebook. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria po ecin drejt ardhmërisë evropiane.