Boksieri shqiptar, Nuri Seferi dhe ai turk Firat Arslan zhvilluan matjet zyrtare në Goppingen të Gjermanisë, përpara duelit të së shtunës, i vlefshëm për titullin evropian WBO në boks në peshën “cruiser”, shkruan albinfo.ch.
“Tajsoni shqiptar”, ish-kampion i këtij brezi, ka avantazhin se është 6 vjet më i ri se rivali i tij Arslan, që edhe në moshën 45-vjeçare vazhdon të jetë në ring.
Përpara sfidës në “EWS Arena”, boksierët u vendosën përballë njëri-tjetrit, duke konfirmuar se të dy janë të gatshëm për duelin, ndërsa në konferencën për shtyp nuk mungoi shfaqja e respektit reciprok. Nuri Seferi deklaroi se ka mjaft respekt për Firat Arslan, i cili është një makineri beteje. Megjithatë, boksieri që do të ketë mbështetjen e shumë shqiptarëve në këtë duel, theksoi se do të provojë ta mposhtë.
Në anën tjetër, turko-gjermani Arslan tha se pret një duel mjaft të vështirë dhe pretendoi gjykim të drejtë.
Më konkret trajneri i tij, Castro Nizar Issa, që i trembet “Tajsonit shqiptar” si një boksier që gjithmonë kërkon përballjen me kundërshtarin dhe nuk tërhiqet asnjëherë.
Meçi do të fillojë në orën 19:00, derisa pritet që Nuri Seferi të ketë përkrahje të madhe nga tifozët shqiptarë, që gjithmonë i kanë qëndruar pranë, derisa ai është përkujdesur që t’i gëzojë.