Kosova për herë të parë po merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Albin Tahiri është garuesi i vetëm dhe ishte ai që barti flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse, shkruan albinfo.ch.
Ekipi i Kosovës përbëhej edhe nga kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, trajneri Agim Pupovci, shefi i misionit Bujar Turjaka dhe zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi.

Skitari Albin Tahiri, që ka fituar normën olimpike në pesë disiplina, është shprehur tejet krenar.
“Është ndjenjë e papërshkrueshme, sidomos bartja e flamurit. Po ndihem shumë krenar. Shpresoj që edhe populli i Kosovës është ndier krenar. Ky është vetëm udhëtimi i një rruge të gjatë”, tha Tahiri pas ceremonisë hapëse.
Ai do të garojë në pesë disiplina të ndryshme, derisa garat e para do t’i ketë më 11 shkurt.