Në konferencën e paralajmëruar për medie, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka konfirmuar se i arrestuari në Beograd është i akuzuari për krime lufte, Ratko Mlladiç.
“S’kemi kalkuluar se kur do ta arrestojmë. Ne kemi bashkëpunuar që nga fillimi me Tribunalin, prejse kjo qeveri ka marrë mandatin e saj”, tha Tadiç.
Procesi i ekstradimit të Mlladiçit ka filluar në çastin që ai është arrestuar, shtoi ai.
Duke folur për mundësinë e protestave, Tadiç tha se nuk do të përfshihet në spekulime të tilla, shkruan ReL.
“Serbia vazhdon të përmbushë detyrimet e saj. Institucionet po bëjnë punën e tyre dhe Serbia do të bëjë gjithçka të mundur që të mbetet stabile”, tha presidenti serb.
Tadiq premtoi se së shpejti do të arrestohet edhe Goran Haxhiç.